Kur ke dhimbje, një kufizim në lëvizje ose je duke u rikuperuar nga një dëmtim, mund të pyesësh veten çfarë ndodh gjatë vizitës së parë te fizioterapisti. Shpesh, njerëzit mendojnë se do të fillojnë trajtimin menjëherë, por hapi më i rëndësishëm është të kuptojmë saktësisht se cili është problemi dhe si po ndikon tek ty.
Të kuptojmë ty dhe shqetësimin tënd
Fizioterapisti do të fillojë me një bisedë të detajuar për historinë e problemit tënd. Kjo është pjesa ku ti tregon çdo gjë rreth simptomave: kur kanë filluar, si ndihesh, çfarë e provokon dhimbjen dhe çfarë e lehtëson. Do të flasësh edhe për aktivitetet që të krijojnë vështirësi dhe çfarë dëshiron të arrish me ndihmën e fizioterapisë.
Vlerësimi fizik dhe matjet e lëvizjes
Pas bisedës, fizioterapisti do të bëjë një vlerësim fizik. Kjo përfshin observimin e lëvizjes tënde, testime të lëvizshmërisë së kyçeve, forcës muskulore dhe funksionit. Qëllimi është të shohim si sillet dhimbja gjatë lëvizjeve të caktuara dhe të identifikojmë cilat lëvizje ose pozicione mund ta përkeqësojnë ose lehtësojnë atë.
Nëse është e dobishme, mund të përdoren edhe matje objektive të lëvizjes, ekuilibrit ose kontrollit të trupit. Këto matje plotësojnë vlerësimin klinik dhe na japin informacion shtesë për të kuptuar më thellë mënyrën si lëviz dhe si funksionon trupi yt.
Përcaktimi i hapave të ardhshëm
Pas vlerësimit të plotë, fizioterapisti do të shpjegojë atë që është kuptuar për problemin tënd dhe do të diskutojë me ty opsionet e mundshme. Nuk është gjithmonë e thënë që të fillosh seanca fizioterapie menjëherë. Rekomandimet mund të përfshijnë:
- Një program fizioterapie në klinikë, i cili mund të përfshijë terapi manuale dhe ushtrime terapeutike.
- Një program personal ushtrimesh për t’i kryer në shtëpi.
- Këshilla dhe edukim për menaxhimin e ngarkesës ose aktivitetit të përditshëm.
- Monitorim dhe rivlerësim periodik.
- Orientim te një profesionist tjetër shëndetësor, nëse kjo do të ishte zgjidhja më e mirë për ty.
Qëllimi është të krijohet një plan i personalizuar, që i përshtatet nevojave dhe objektivave të tua.
Pse është thelbësor ky vlerësim?
Ky proces i detajuar është thelbësor sepse çdo person është unik dhe asnjë problem nuk është njësoj. Një vlerësim i kujdesshëm të ndihmon të kuptosh më mirë çfarë po ndodh me trupin tënd, cilat janë faktorët që ndikojnë te dhimbja ose kufizimi, dhe cila është mënyra më efektive për të përmirësuar funksionin dhe cilësinë e jetës. Është themeli për një plan rehabilitimi të suksesshëm.
Pyetje të shpeshta rreth vizitës së parë te fizioterapisti
- Sa zgjat vizita e parë te fizioterapisti?Vizita e parë, ose vlerësimi klinik, zakonisht zgjat rreth 60 minuta. Kjo kohë është e nevojshme për një bisedë të detajuar dhe një ekzaminim të plotë fizik.
- A duhet të sjell ndonjë dokumentacion mjekësor?Po, nëse ke ekzaminime si rreze X, MRI, analiza gjaku ose raporte të mjekut, është mirë t’i sjellësh me vete. Ato mund të ndihmojnë fizioterapistin të ketë një pamje më të qartë të gjendjes tënde.
- A do filloj trajtimin që në vizitën e parë?Nuk është gjithmonë e nevojshme të fillosh trajtimin që në vizitën e parë. Qëllimi kryesor është vlerësimi dhe kuptimi i thellë i problemit. Ndonjëherë, mjaftojnë këshilla dhe një program ushtrimesh në shtëpi. Nëse është e përshtatshme, mund të fillohet me terapi manuale ose ushtrime terapeutike të lehta.
Nëse ke dhimbje, një kufizim në lëvizje ose nuk je i sigurt se çfarë duhet të bësh, një vlerësim klinik mund të ndihmojë për të kuptuar më mirë faktorët që lidhen me problemin dhe çfarë ka kuptim të bësh më pas.

