Nëse ndien dhimbje mesi, nuk je vetëm. Është një nga ankesat më të zakonshme muskoloskeletike. Shpesh, dhimbja e mesit nuk është shenjë e një dëmtimi serioz, por një tregues se diçka në mënyrën si lëviz apo e përdor trupin tënd ka nevojë për vëmendje.
Pse ndihesh me dhimbje mesi?
Dhimbja e mesit mund të vijë nga muskujt, ligamentet, nyjet ose disqet e shtyllës kurrizore. Shumicën e rasteve, nuk ka një shkak të vetëm dhe specifik që gjendet në imazheri si rezonanca magnetike. Shpesh lidhet me mënyrën si lëvizim, qëndrojmë, ngremë pesha ose si menaxhojmë stresin.
Kjo nuk do të thotë që dhimbja nuk është reale ose e rëndë. Thjesht, fokusi duhet të jetë te si mund të rifitosh funksionin dhe besimin në lëvizjet e tua.
Çfarë mund ta shkaktojë ose përkeqësojë dhimbjen e mesit?
Shumë faktorë mund të kontribuojnë në dhimbjen e mesit ose ta përkeqësojnë atë:
- Qëndrimi jo-dinamik: Të qëndrosh gjatë në të njëjtin pozicion, sidomos ulur, mund të rrisë ngarkesën në shpinë.
- Mungesa e lëvizjes: Aktiviteti fizik i rregullt forcon muskujt e shpinës dhe ruan fleksibilitetin.
- Ngarkesa e papritur: Të ngresh pesha gabim ose të bësh një lëvizje të papritur.
- Stresi dhe gjumi i pamjaftueshëm: Këta faktorë mund të rrisin ndjeshmërinë ndaj dhimbjes.
- Ngarkesa e vazhdueshme: Përdorimi i tepërt ose i përsëritur i shpinës në aktivitete të caktuara.
Mos harro, trupi ynë është i krijuar për të lëvizur dhe është rezistent. Dhimbja është një sinjal, jo gjithmonë një shenjë dëmtimi.
Çfarë mund të bësh kur ke dhimbje mesi?
Në shumicën e rasteve, dhimbja e mesit përmirësohet vetë brenda pak ditësh ose javësh. Ja disa gjëra që mund të provosh:
- Qëndro aktiv: Mos qëndro në shtrat. Vazhdo me aktivitetet e përditshme aq sa të lejon dhimbja. Lëvizjet e lehta si ecja janë shpesh ndihmuese.
- Ndrysho pozicionet shpesh: Nëse punon ulur, ngrihu dhe ec çdo 30-60 minuta. Ndrysho mënyrën si qëndron apo ulesh.
- Menaxho stresin: Teknikat e relaksimit, meditimi ose thjesht bisedat mund të ndihmojnë në uljen e tensionit muskulor.
- Aplikoni nxehtësi: Një kompresë e ngrohtë mund të qetësojë muskujt e tendosur.
- Kupto dhimbjen: Edukimi mbi dhimbjen është një mjet i fuqishëm. Të kuptosh se dhimbja nuk është gjithmonë proporcionale me dëmtimin mund të ndihmojë në menaxhimin e saj.
Kur duhet ta kontrollosh dhimbjen e mesit?
Nëse ke dhimbje mesi dhe shikon ndonjë nga këto shenja, është mirë të konsultohesh me një mjek ose fizioterapist:
- Dobësi e re ose që po shtohet në njërën ose të dyja këmbët.
- Humbje e rëndësishme e ndjeshmërisë në zonën e ijëve, në këmbë, ose rreth vitheve.
- Probleme të reja me kontrollin e urinimit ose jashtëqitjes.
- Dhimbje e fortë që nuk qetësohet me asgjë dhe të mban zgjuar natën.
- Dhimbje pas një traume të rëndësishme.
- Nëse dhimbja është shoqëruar me temperaturë ose humbje peshe pa shkak.
Këto shenja janë të rralla, por është e rëndësishme t’i kesh parasysh.
Mësoni më shumë rreth dhimbjes së mesit.
A mund të shkaktohet dhimbja e mesit nga hernia diskale?
Po, hernia diskale mund të jetë një shkak i dhimbjes së mesit, sidomos nëse shoqërohet me dhimbje që përhapet në këmbë, mpirje ose dobësi. Megjithatë, jo çdo dhimbje mesi do të thotë se ke hernie diskale dhe jo çdo hernie diskale shkakton dhimbje. Një vlerësim klinik është i nevojshëm për të përcaktuar lidhjen. Për më tepër, shumë hernie diskale menaxhohen me sukses pa ndërhyrje kirurgjikale. Mësoni më shumë rreth hernieve diskale dhe trajtimit.
Duhet të shmang lëvizjet kur kam dhimbje mesi?
Përkundrazi, lëvizja është zakonisht e mirë. Qëndrimi pa lëvizur për një kohë të gjatë mund ta përkeqësojë dhimbjen e mesit. Lëvizjet e lehta dhe graduale, si ecja ose ushtrimet e buta, ndihmojnë në qarkullim, relaksimin e muskujve dhe rritjen e tolerancës ndaj aktivitetit. Është e rëndësishme të gjesh lëvizjet që të toleron trupi yt dhe të mos e teprosh.
Kur duhet të konsultohesh me një fizioterapist?
Nëse dhimbja e mesit vazhdon për një kohë të gjatë, rikthehet shpesh, kufizon aktivitetet e tua të përditshme ose nuk di si ta menaxhosh, një vlerësim fizioterapeutik mund të të ndihmojë. Një fizioterapist në Treka Fizio do të bëjë një vlerësim të plotë për të kuptuar shkaqet e mundshme, lëvizjet që provokojnë dhimbjen dhe si ndikon kjo në jetën tënde.
Më pas, bazuar në vlerësim, do të krijohet një program individualizuar që mund të përfshijë terapi manuale, ushtrime terapeutike dhe edukim, për të të ndihmuar të lëvizësh lirshëm dhe të rikthehesh në aktivitetet që të pëlqejnë.
Nëse dëshiron një vlerësim fizioterapeutik nga afër në Treka Fizio në Tiranë, mund të gjesh kontaktet e klinikës këtu: Kontakto Treka Fizio.

